Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Së shpejti lëshohet në përdorim ujësjellësi i fshatit Nerasht

Pengesat e shumta dhe problemet gjatë punimeve, kanë pamundësuar lëshimin në përdorim të ujësjellësit të fshatit Nerasht në afatin e parashikuar për këtë projekt.

“Ky ujësjellës i fshatit Nerasht, ishte i paraparë që të lëshohet që në shtator të vitit 2013, por pas peripecive të shumta si nga firma që kryen ndërtimin, po ashtu edhe nga firma që e ka furnizuar me materialin i cili ka dalë fals – ujësjellësi është vonuar deri në ditën e sotme. Nga organet kompetente informohemi se, ky ujësjellës ka marr fund dhe se po bëhen testimet e fundit që të enjten apo të premten të lëshohet përfundimisht në përdorim, që rreth 5 000 banorët e fshatit Nerasht, të kenë përfundimisht ujë për pije”.

Kreu i komunës së Tearcës pranon se ka pasur pengesa të shumta gjatë realizimit të ujësjellësit, por shprehet se, këto kanë qenë mundësitë maksimale që të arrihej deri tek lëshimi i tij.

“Të gjitha vështirësitë që kemi pas janë tejkaluar edhe testimi gjeneral është përfunduar me sukses dhe javën e ardhshme neve do jemi dëshmitar të një ngjarjeje që me padurim e presin gjithë banorët e këtij fshati”, u shpreh Isen Asani, Kryetar i Komunës së Tearcës.

Sipas firmës që kryen punët e ujësjellësit në këtë fshat, këtë javë pritet të trajnohen për përdorim të sistemit të ri, edhe punëtorët e ndërmarrjes publike komunale, dhe javën e ardhshme të fillojë përdorimi i mëvetësishëm i ujësjellësit të ri.

“Iu kemi bë ftesë disa herë por nuk erdhën për shkaqe objektive thonë se kanë projekte të tjera – realisht kanë edhe projekte të tjera, por drejtori i higjienës më deklaroi që nesër do të jetë me stafin e tij në objektin e ri”, theksoi Agron Nuhiu, Drejtor i firmës që kryen punimet.

Ujësjellësi i fshatit Nerasht ka filluar të ndërtohet para 4 vitesh, por siç ndodh zakonisht me projektet e mëdha, edhe ky është zvarritur gjatë. Për pasojë, rreth 5 000 banorët e fshatit Nerasht, është dashur ta sigurojnë ujin 7 apo 8 kilometra jashtë vendbanimit të tyre.