Në mbarë trojet shqiptare, sot shënohet 7 Marsi, Dita e Mësuesit. 129 vjet më parë, më 7 Mars të 1887-ës, në Korçë u hap mësonjëtorja e parë e shkollës laike shqipe. Kjo ditë përkujtohet si një ngjarje me rëndësi kulturore e historike.

Kjo festë shënohet me aktivitete të ndryshme si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni , Mal të Zi, Preshevë, Medvegje e Bujanovc, si dhe ne Diasporë.

Kujtojmë se më 7 Mars te vitit 1887 në Korçë, u hap mësonjëtorja e parë e shkollës laike shqipe.Mësues dhe drejtori i parë i saj ishte Pandeli Sotiri. Veç tjerash kjo ngjarje u konsiderua një fitore për popullin shqiptar, pasi deri me atëherë mësimet mbaheshin nëpër shtëpi private në mënyrë të fshehtë.

Edhe pse në kushte të vështira, kur ndalohej mësimi i gjuhës shqipe, ajo qëndroi e hapur për 15 vjet. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare si, Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, etj.

Andaj, me çdo 7 – Mars kujtohen me respekt të thellë të gjithë ata që nuk kursyen asgjë për shkollën shqipe.