Skip to content Skip to left sidebar Skip to footer

Veshjet popullore

Një ndër bukuritë e kulturës shqiptare janë veshjet popullore, si qytetare, krahinore, apo të mbarë viseve shqiptare anë e kënd. Janë aq të panumërta sa të duket sikur çdo lagje identifikohet me veshjen e saj për të mos thënë më tepër çdo familje apo fis. Të mahnit bukuria, estetika, laramania e ngjyrave, të harmonizuara me mjeshtrinë e hollë të krijuesit popullor, me dizajnimin dhe koloritin e ambientit jetësor shqiptar me të gjitha begatitë e jetës. Dukuri të vaçantë përbën shpirti prej artisti të vërtetë i shqiptarit i cili ka bërë një punë madhështore të arteve te këto kostume. Veshja i ngjanë një petku magjik që josh me ngjyrat dhe dekoret e larmishme. Larmi të ndryshme ngjyrash e dizajnesh, nuk di ç’të them, fjalët janë të pakta. Asnjë petk tjetër i moderuar nuk e ka bukurinë as vlerën e kostumit tradicional shqiptar. Veshjet kombëtare shqiptare janë një thesar i vyer në kulturën tonë kombëtare e më gjerë, por të paktë janë shqiptarët që e ruajnë me aq kujdes këtë thesar që t’iu mbetet brezave për të ditur identitetin e paraardhësve të tyre. Gjatë kohë gratë dhe vajzat e Nerashtit veshjen e burrave, grave, fëmijëve, apo çejzin e kanë përgatitur vetë.

Si lendë e parë është përdorur leshi, pambuku dhe mëndafshi natyrorë. Leshin dhe mëndafshin e kanë siguruar vetë, pasi ky fshat është dalluar në Pollog për rritjen e dhenëve dhe kultivimin e krimbit të mëndafshit. Ja si e kanë kultivuar krimbin e mëndafshit: Kanë blerë fara që quhen fara bubash, i kanë mbajtur në vend të ngrohtë dhe ato për një kohë janë shndërruar në krimba. I kanë ushqyer me gjethe manash derisa janë rritur. Pasi janë rritur kanë filluar të hypin në disa degë që ua kanë përgatitur njerëzit dhe kanë filluar të krijojnë një rrjetë rreth vetes. Atë rrjetë njerëzit e kanë marrë, e kanë futur në ujë, e kanë përpunuar dhe e kanë përgatitur mëndafshin. Veglat që janë përdorur për përgatitjen e leshit si lendë e parë për prodhimin e fijeve kanë qenë të thjeshta siç janë: furka, shtiza dhe boshti. Veglat që janë përdorur për endjen e fijeve të leshit, pambukut, mëndafshit dhe për përgatitjen e tyre për vek kanë qenë: endësi, elemja, çikriku dhe cezat.

Veku ka shërbyer për vejtjen e fijeve të leshit, pambukut dhe mëndafshit. Me të kanë vejtur pëlhura, çarçafe, marhama, jastëk, skutaçe, breza, kashnik dhe sixhade. Karakteristike për këtë fshat ka qenë vejtja e sixhadeve të nuseve që kanë qenë shtroja më luksoze dhe është shtruar në dhomë vetëm kur kanë ardhur mysafirët.

Baki Bakiu me qifteli
Baki Bakiu me qifteli

a) Veshja e meshkujve

Burrat për veshje kanë përdorur: kësulën, marhamën, çevren, sherveten, lurkën, tirqit, mintanin, jelekun, brezin, këmishën, çorapet, fanellën, xhemperin, ndortat, rrogzinat, opingat, gëzofin, pallto dhe pantallona të leshta. Kësula – në fshatin Nerasht e kanë mbajtur kësulën e bardhë të leshtë. Mirëpo më vonë është mbajtur edhe kësula e zezë prej stofi dhe kapela moderne franceze (bereta). Marhama dhe çevreja – këto janë përdorur gjatë fejesave me nishane. Marhama është vejtur, ndërsa çevreja është punuar me dorë dhe ka shërbyer si veshje dhe zbukurim. Lurka – ka qenë veshje e sipërme. Tradita kulturore në disa treva shqiptare në Maqedoni e burrave e cila është qepur prej kashniku me krahë të shkurtër deri në bërryla dhe me lake të lëshuar pas shpine për tu mbrojtur prej të ftohtit dhe reshjeve. Lurka është mbërthyer me tri kopëza. Tirqit – janë veshje e poshtme e burrave të punuara prej kashnikut me katër liq. Tirqit më tepër janë mbajtur të zeza, por janë mbajtur edhe të bardha me gjashtë e më tepër fije gajtani. Këmisha – është vejtur prej pambuku dhe mëndafshi dhe ka qenë e gjatë deri në gjunjë. Në dorë dhe në fyt kanë patur sëkma. Më vonë janë përdorur këmishat prej basme, me pala dhe hajmali përpara. Këto këmisha kanë qenë të shkurta për dallim prej atyre të pëlhurës. Mintani – është veshur mbi këmishë dhe është punuar prej shajakut të bardhë ose të kuq me gajtana të zi. Jeleku – është punuar me krahë me ngjyrë të zezë në fyt i zbukuruar me ngjyrë të kuqe. Më parë është punuar prej shajaku e më vonë edhe prej stofi. Brezi – ka qenë i gjatë gjashtë e më tepër metra ndërsa i gjërë 25 cm. dhe është përdorur për mbështjelljen e mjedisit. Ka shërbyer edhe si zbukurim te meshkujt. Brezi është punuar prej leshit dhe me shumë ngjyra. Çorapët – janë punuar prej leshi me shumë ngjyra duke u shtuar edhe tel. Këto lloje të çorapëve janë punuar edhe me çez, ndersa për veshje të rëndomtë janë punuar shollat. Lurka – është veshje e sipërme e burrave që është veshur gjatë kohës së ftohtë dhe është punuar prej shajakut me krahë të gjatë, me jakë si lurka dhe e gjatë deri në lak të këmbëve. Më shumë e kanë përdorur barinjtë. Gëzofi – është veshje e burrave më në moshë dhe është mbajtur dimrit kur ka mbajtur shumë ftohtë. Është punuar prej lëkurës së deleve shterpa dhe dallon nga lurka pasi krahët i ka më të shkurta dhe mbërthehet me tri komca. Opingat – janë punuar prej lëkurës së thatë të gjedheve dhe prej tyre janë punuar dy lloje të opingave, me tegjel që kanë qenë më të mira dhe pa tegjel që kanë shërbyer për mbathje të përditshme. Ndortat – kanë shërbyer për lidhjen e opingave dhe janë punuar dy lloje ndortash: të rëndomta dhe të gurit. Rrogzinat – janë shirita të vejtur prej leshi, që kanë shërbyer për ta mbështjellur këmbën prej majës së gishtave e deri nën gjunjë.

b) Veshja e femrave

Oda Nerashtane (2)

Femra për veshje ka përdorur dimi, mintan, jelek, kovrak, tilben, këmishë, skutaçe, çorape, kollan, bashllëk, tërlik, xhar, perçe, çarçaf.
Dimitë – janë punuar sipas moshës. Vajzat kanë veshur dimi të bardha të qepura prej pëlhurës së bardhë. Poashtu, ata kanë përdorur dimi të kaltra, që rëndom janë përdorur për dallim nga dimitë e bardha që janë veshur në dasma dhe festa. Për nuset janë punuar më shumë lloje të dimive siç janë: junlie, kumashe, basma dhe santinet. Santinet e mira punohen me xhepa, shkeka dhe shirita. Gratë në moshë kanë bartur dimi prej basme me rrudha të paqëndisura. Këmisha është punuar për nuset e reja, prej mëndafshi dhe pirinxhiku që e kanë vejtur deri sa kanë qenë ndër nishane. Këmishat e mira janë me mënga të gjera dhe qafë të çelur të qendisur me oja dhe sëkma. Jeleku – është veshja më e bukur e nuseve. Më parë janë qëndisur me mëndafsh, ndërsa sot me sërmë. Jelek kanë mbajtur edhe gratë më të moshuara por pa qëndisje të punuara prej basmës së dimive. Mintani – është i ngjashëm me jelekun por dallon me atë se mintani ka mëngë të gjata.

tradita shqiptare nerasht

Tradita kulturore në disa treva shqiptare në Maqedoni

Kovraku – është shami e hollë me ngjyra të ndryshme e qëndisur me oja. Vëhet në kokë nga nuset e reja. Gratë e moshuara kanë bartur shami me oja të imëta, ndërsa vajzat i kanë vënë pa oja. Sot përdoren edhe tilbeni dhe bashllëku. Kollani – nuset e reja e kanë vënë në bel që ka shërbyer si zbukurim. Kollani është punuar prej argjendi. Më parë është bartur kusheki që është vejtur prej mëndafshi. Skutaçja – është punuar prej leshi dhe pambuku e më vonë prej juni. Atë e kanë bartur të gjitha femrat të lidhur për midisi. Skutaçja ka shërbyer si zbukurim dhe të mbrohen dimitë nga ndyrja. Nallet – janë punuar prej druri me madhësi të këmbës me një rrip përsipër dhe kanë shërbyer për mbathje. Tërliku – është përdorur si mbulojë dhe është punuar prej basmës së zezë me gjatësi deri në fund të këmbëve. Xhari – është përdorur si mbulojë. Në mjedis ka qenë i ngushtuar me llastëk dhe përpara është mbërthyer me kopsa. Perçja – ka qenë një pëlhurë e hollë me të cilën gratë e kanë mbuluar fytyrën që të mos shihen. Çarçafi – është përdorur për mbulojë, sidomos nuset e reja dhe gratë kur kanë dalë te fqinjët ose në ograde.

SHKA Rilindja fsh. Nerasht
Veshje kombëtare