Skip to content Skip to left sidebar Skip to footer

Popullsia

Me fjalën popullësi në kuptimin formal-statistikor nënkuptojmë shumën e banorëve të një vendi në një kohë të caktuar. Popullsia për mjedisin jetësor paraqet një ndër faktorët më të rëndësishëm për zhvillimin socialo-ekonomik të një vendi. Nerashti paraqet një vendbanim në të cilin prej më herët e deri më sot kanë ndodhur ndryshime të mëdha në zhvillimin demografik. Shënime më të plota për lëvizjen numerike të popullsisë kemi prej vitit 1948-2002. Në dokumentet turke, përkatësisht në defterët e kadastrave ose tapitë osmane “ Tapia e Turkut”, (D.Turke fq.325) fshati Nerasht përmendet në shekullin XV (1467-1468) me 29 familje, 1 pa martue dhe 2 vejushe, gjithsej 32 familje. L.Serafimov, Nerashtin e përmenden me 85 shtëpi (L.S. Tetovsko” faqe 67). Sipas numrit të familjeve nga shënimet e lartëpërmendura del se ka qenë i banuar shumë herët dhe ka pasur një popullsi të konsiderueshme.

Tabela 3 Lëvizja e numrit të popullsisë 1948 – 2002 v.
Viti 1948 1953 1961 1971 1981 1994 2002
Nerashti 1301 1457 1663 2280 2901 3235 3485

Grafiku 1. Lëvizja e popullsisë në fshatin Nerasht 1948-2002
————————————————————
Prej tabeles shihet se fshati Nerasht prej regjistrimit të vitit 1948 e deri me 2002 vj. Po tregon një tendencë të zhvillimit pozitiv demografik. Në regjistrimin e vitit 1948 Nerashti numëronte 1.301 banorë, ndërsa në regjistrimin e vitit 1953 ndërsa në 1.457 banorë, pra popullsia mes dy regjistrimeve (1948-1953) shënon rritje demografike për 156 banorë. Në regjistrimin e vitit 1961 fshati Nerasht numronte 1.663 banorë, kështu që për dallim nga viti 1953 tregon një rritje pozitive për 206 banorë. Në regjistrimin e vitit 1971 numëronte 2.280 banorë, për dallim prej vitit 1961 tregon rritje për 617 banor. Ndërkaq në regjistrimin e vitit 1981 Nerashti numëronte 2.901 banorë dhe krahasuar me regjistrimin e vitit 1971 kemi një rritje pozitive demografike prej 621 banorë, pastaj në vitin 1994 numëronte 3.235 banor dallimi nga viti 1981 është 334 banorë. Në regjistrimin e vitit 2002 fshati Nerasht numronte 3.485 banorë, për dallim nga viti 1994 tregon një rritje për 250 banorë. Popullsia e fshatit gjatë këtij gjysëmshekulli (1948-2002) tregon një rritje pozitive demografike prej 2.184 banorë ose shprehur në përqindje 195 %.

Lëvizja natyrore e popullsisë Nataliteti ose fertiliteti është komponentë pozitive e lëvizjes natyrore e popullsisë, e cila ndikon në rritjen e popullsisë e që përfshinë numrin e lindjeve në popullatën e caktuar brenda një periudhe të caktuar kohore. Shtimi natyror është komponentë e përbashkët e natalitetit dhe mortalitetit dhe element i rëndësishëm demografik përmes të cilit përcillet lëvizja e popullsisë. Ai nxirret si rezultat i numrit të foshnjave të lindura dhe atyre që vdesin në 1000 banorë. Nataliteti te shqiptarët ka filluar të përcillet herët dhe të studiohet relativisht mirë. Mirëpo, kjo komponentë më mirë përcillet prej fillimit të këtij shekulli, sepse më parë mungonin regjistrat e gjendjes civile dhe të informatave të ngjashme statistikore në të cilat shënohen dukuritë demografike.

Lindshmëria Lindshmëria apo nataliteti është komponenti themelor i lëvizjes natyrore të popullsisë dhe treguesi kryesor i dinamikës demografike te saj. Tregues objektiv për lindshmërinë është nataliteti efektive, përkatësisht numri i foshnjave të lindura gjallë brenda një viti në një mijë banorë. Nataliteti mund të studiohet në bazë të gjinisë, moshës, gjendjes bashkëshortore, përkatësisë nacionale etj. Në nivelin e natalitetit ndikojnë disa faktorë, ndër të cilët më kryesorët janë ata: biologjikë, demografikë, social-ekonomikë, psikologjikë etj.

Tabela 4. Lëvizja e natalitetit në fshatin Nerasht
Nr. Vendbanimi Numri i të lindurve
2004 2005 2006 2007 2008
1 Nerashti 38 18 24 31 26

3. 2. 2 Vdekshmëria Vdekshmëria apo mortaliteti është komponentë negative e lëvizjes natyrore dhe lëvizjes së përgjithshme të popullsisë, që ndikon në numrin e përgjithshëm të banorëve. Niveli i mortalitetit në çdo vend është pasqyrë e ndikimit kompleks të shumë faktorëve, si ato biologjik, social, ekonomik, psikologjik etj, kështu që niveli i mortalitetit në përgjithësi e posaçërisht të vdekjes së foshnjave është indikator i rëndësishëm i standardit ekzistues i jetës në çdo vend. Vdekshmëria në fshatin Nerasht në të kaluarën ka qenë shumë e lartë, si rezultat i kushteve të rënda për jetesë, standardit të ulët dhe mbrojtjes së ulët shëndetësore, paraqitja e shumë epidemive të ndryshme të cilët kanë marrë shumë jetë njerëzish etj. Fshati gjendet larg qytetit që në të kaluarën kanë paraqitur një problem shumë serioz, përshkak të pamundësisë për ndihmë të parë të personave që kanë pasur nevojë për ndihmë mjekësore. Mortaliteti kohëve të fundit është zvogëluar sidomos ai i foshnjave, sepse tani më asnjë lindje nuk kryhet në shtëpi si në të kaluarën, të gjitha këto realizohen në qendër spitalore të qytetit, por tani nuk mungojnë as rrugët e automjetet që d.t.th se në çdo kohë ndihma mjekësore është afër.

Tabela 5. Lëvizja e vdekshmërisë në fshatin Nerasht
Nr. Vendbanimi Numri i të vdekurve
2004 2005 2006 2007 2008
1. Nerashti 18 21 17 14 22

Shtimi natyror i popullsisë Komponentët kryesorë të shtimit natyrorë të popullsisë janë lindshmëria dhe vdekshmëria. Nga rezultati i tepricës së të lindurve mbi numrin e të vdekurve varet edhe niveli i shtimit natyrorë i shprehur në përqindje apo përmijë. Në fshatin Nerasht si në të gjitha vendet tjera të banuara me shqiptarë, shtimi natyrorë i popullsisë është i lartë, edhe pse vendbanimi është rural, sepse çdoherë shtimi natyrorë nëpër fshatra është më i lartë, për arsye se në sektorin primar apo bujqësi kërkohet fuqi punëtore, por ka ndikuar edhe momenti psikologjik dhe rrethi shoqëror, apo dëshira për të lindur djalë. Për ta ilustruar shtimin natyrorë do të paraqesim lindshmërinë, vdekshmërinë dhe si rezultat të tyre edhe shtimin natyrorë të popullsisë.

Tabela 6. Lëvizja e lindshmërisë, vdekshmërisë dhe shtimi natyrorë në fshatin Nerasht.
Nr. Vitet Lindshmëria Vdekshmëria Shtimi natyrorë
1 2004 38 18 20 (5,8 ‰)`*
2 2005 27 21 6 (1,8 ‰)
3 2006 24 17 7 (2 ‰)
4 2007 31 14 17 (4,9 ‰)
5 2008 26 22 4 (1,2 ‰)

Dendësia e popullsisë Dendësia e popullsisë si element i hapësirës gjeografike është i rëndësishëm, jo vetëm për të treguar dendësinë mesatare të popullsisë që jeton në 1 km², por edhe për të vlerësuar përhapjen e popullsisë, forcën prodhuese, e me këtë vlerësohet mundësia e ekzistimit të popullsisë në një sipërfaqe të caktuar.

Tabela 7. Dendësia e popullsisë në fshatin Nerashtë (1948-2002)
Viti 1948 1953 1961 1971 1981 1994 2002
b/km² 134 150 171 235 299 333 359

Migrimet Në Nerasht migrimet e popullsisë janë shumë të vjetra, por më karakteristike janë shpërnguljet për në Turqi nga viti 1954 e deri më vitin 1961. Shkak i këtyre migrimeve kanë qenë të kushtëzuara prej kushteve të vështira politike, fetare, ekonomike etj. Shpërnguljet e këtyre familjeve përputhen me shpërnguljet masovike të popullatës shqiptare në ish- Jugosllavi për në Turqi duke filluar prej vitit 1953. Për Nerashtin gjatë këtyre 60 viteve janë karakteristike edhe migrimet që janë zhvilluar brenda vendit dhe jashtë. Brenda vendit migrimet kane ndodhur fshat qytet, dhe fshat fshat. Migrimet e mbrendshme jane drejtuar në drejtim të Tetovës, Shkupit Prishtinës dhe në disa fshatra sic janë Dobrosht, Radushë, Ozurmisht dhe Zherovjan. Migrimet e jashtme janë karakteristike për Nerashtin të cilat kanë ndodhur për shkaqe politike dhe ekonomike. Përqëndrimi i migrimeve është bere në Danimark, Gjermani, Zvicër, Norvegji e disa shtete tjera te Europës, në Shba, Kanada, dhe Australi.