Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Nerashti ende problem me ujin e pijshëm (VIDEO)

Banorët e fshatit Nerasht të komunës së Tearcë vite me radhë përballen me mungesën e ujit të pijshëm.

Ky problem gjithnjë është ngritur si shqetësim nga ana e banorëve të këtij fshati por nuk është gjetur zgjidhje që njëherë e përgjithmonë të kenë ujë të pijshëm. Problem në vete është se ky fshat ndodhet larg Malit Sharr dhe për të marrë ujin duhet investim i madh.

Anëtari i bashkësisë lokale të këtij fshati Hazir Mustafa për Televizioni Koha theksoi se projekti për ujësjellësin e këtij fshati ka filluar por i njejti nuk ka përfunduar. Ai nënvizon se ujë mbushin nga çezmat ku ka uj të pastër ndërsa sistemi i vjetër i ujësjellësit është i përzier me ujrat e zeza dhe nuk përdoret për pije.

“ Ne mirëpresim përfundimin e këtij projekti, sepse Nerashti është pa uj të pijshëm.Banorët e Nerashtit mbushin ujë me shishe dhe vërtetë jemi në hall të zi me ujin e pijshëm dhe dëshirojmë që kjo punë të kryhet sa më shpejtë”, tha Mustafa, transmeton Televizioni Koha.

Televizioni Koha mori prononcim edhe nga kryetari i komunës së Tearcës Isen Asani i cili sërish ka premtoi se ky problem do të zgjidhet shumë shpejt.

“ Në një të ardhshme shumë të afërt do të lëshohet rrjeti primar ku njëherë e përgjithmonë do të zgjidhet ky problem për 5 mijë banorët e këtij fshati. Janë kryer të gjitha testimet dhe zyrtarisht shumë shpejt ky fshat do të rregullojë këtë çështje” tha Isen Asani, kryetarë i komunës së Tearcës, transmeton Televizioni Koha.

Uji për banorët e fshatit Nerashtë meret poshtë nga ky fshat dhe i njejti deri në rezervuar sillet me ndihmën e rrymës elektrike e cila edhe pse kushton shumë megjithatë është zgjidhje e vetme për momentin për furnizim me ujë të pijshëm për banorët e këtij fshati. Edhe pse projekti është dashur që të përfundohet më herët megjithatë projekti për ujësjellësin e Tearcës disa herë është ndërprerë për shkak të mungesës së mjeteve dhe kushteve klimatike.
Sistemi i vjetër i ujësjellësit ka uj por i njejti nuk është i pijshëm dhe banorët e përdorin vetëm për pastrim kurse ujë mbushin nëpër çezmat ku uji është i pijshëm.

“ Aktualisht në fshat nuk kemi ujë të pijshëm sepse sistemi i ri nuk është funskional dhe ende punohet. Uji që vjen nga sistemi i vjetër është i përzier me ujrat e zeza dhe nuk e përdorim për pije por vetëm për pastrim. Mbushim ujë nga çezmat private për pije.Disa herë është premtuar por nuk është reazliuar dhe shpresojmë se tashmë e kanë me seriozitet që të rregullojë këtë problem të kahmtoshëm”, tha një banorë i këtij fshati, transmeton Televizioni Koha.

Rreth 5 mijë banorë të këtij fshati, më shumë se 20 vjet përballen me problemin e ujit të pijshëm. Ndryshe, projekti i ujësjellësit të fshatit Nerasht është premtuar nga pothuajse të gjitha partitë politike, por deri më tani assesi të realizohet.

Fshati i takon komunës së Tearcës dhe një numër tepër i madh i banorëve jetojnë dhe punojnë në vendet perëndimore, pjesa më e madhe e tyre në Danimarkë të cilët shpesh herë kanë shprehur gatishëmri edhe vetë të rregullojnë çështjen e ujit por largësia nga burrimet në Malin Sharr ka bërë që të mos gjendet zgjidhje e përhershme të këtij problemi maratonik.Ky fshat numëron rreth 900 shtëpi dhe është ndër katër fshatrat me numër më të madh të banorëve në komunën e Tearcës.