Skip to content Skip to left sidebar Skip to footer

Lojërat popullore

Nerashti gjatë kohë ka qenë i shkëputur dhe i izoluar nga Tetova dhe fshatrave përreth. Kjo ka ndikuar që ky fshat në shumëçka të dallojë prej fshatrave të Pollogut. Një specifikë e këtillë vërehet edhe në jetën kulturore të tij, që ka qenë shumë e begatshme dhe e llojllojshme. Në atë shtëpi ku vinte mysafiri mblidhej i tërë fshati dhe luhej, këndohej, kallëzoheshin përralla dhe vallëzohej tërë natën.”Oda Nerashtane” dallohej me shumë lojëra që luheshin dimrit kur vinin mysafirë dhe qëndronin tre deri më pesë netë e më tepër. Vazhdimisht gjatë të gjitha lojërave që janë luajtur nëpër odat e Nerashtit, ndaj mysafirëve ka patur një kujdes dhe respekt. Në “Odën Nerashtane” humori ka patur një vend të merituar.

Oda Nerashtane

a) Lojërat që luheshin në “Odën Nerashtane”

Boza: e luanë personi që e ka përsosur mirë këtë lojë.Mbushet një legen me ujë dhe me një partall (leckë) në dorë hyhet në dhomën e mysafirëve. Loja fillon më fjalët hajde bozë, boza kajmak, kush do të blejë. Boza fillon të shitet, personat që blejnë bozë, por edhe të tjerëve iu mëshohet me partallin e lagët në fytyrë, kokë dhe kështu loja vazhdon deri në fund.

Bati: është luajtur në dy mënyra në dorë dhe në këmbë. Bati në dorë është luajtur nga më shumë persona të radhitur në odë në formë të gjysëm rrethit. Personi që e udhëheq lojën e fsheh myhyrin (unazën) dorë më dorë, duke ia lëshuar dikujt në dorë. Personi që e fsheh myhyrin iu drejtohet me fjalët “Kush e ka myhyrin”. Dikush reagon dhe thotë “E ka filani”. Personi që e udhëheq i mëshon me bat personit që reagoi dhe drejtohet kah personi që iu përmend emri duke i mëshuar me batë, kush e ka myhyrin, ky i drejtohet dikujt tjetër deri sa të gjendet myhyri. Personi që e gjen myhyrin ngritet dhe e fsheh përsëri atë dorë më dorë dhe kështu vazhdon loja deri në fund. Bati në këmbë: është lojë më e rëndë por më tërheqëse për mysafirët. Lojën e luajnë më shumë persona, të gjithë dalin në mes të odës dhe ulen, këmbët i qesin përpara duke formuar me gjunjët një kënd të ngushtë. Në këtë formë radhiten të gjithë lojtarët deri në mbyllje të rrethit. Një lojtar vullnetarisht hyn në mes të rrethit, i cili ka për detyrë të nxen batin gjatë lojës. Loja fillon me fjalën batbat duke i mëshuar personit në mes me bat dhe me shpejtësi bati shtihet ndër këmbë duke i dhënë lojtarit tjetër ky i mëshon duke bërtitur bat-bat-bat dhe me shpejtësi të madhe e fësheh batin ndër këmbë duke ia dhënë dikujt tjetër. Loja vazhdon derisa ta nxen batin e vazhdon personi që i zihet bati dhe kështu vazhdon loja deri në fund.

Bleta: e luajnë tre persona, njeri prej tyre ka rolin kryesor dhe udhëheq me lojën. Tre personat qëndrojnë në këmbë në mes të odës. Personi që udhëheq qëndron në mes dhe mban kapuç në kokë. Me të filluar loja dy personat anësh duhet t’ia rrëzojnë kapuçin personit në mes. Loja fillon me fjalën bëzja-bëzja prej personit në mes duke i mbajtur duart në gojë dhe njëkohësisht me duar tenton t’iu mëshon në dorën e majtë ose të djathtë të personave që rrinë anësh. Nga ana tjetër këto dy persona mundohen t’ia rëzojnë kapuçin prej koke duke i mëshuar. Loja vazhdon derisa t’i rrëzohet kapuçi prej koke.

Filxhanat: luheshin së bashku mysafir e nikoqir, të cilët përzimas ndaheshin në dy grupe. Secili grup kishte dhëheqësin e tyre që i fshehnin filxhanat. Loja luhej deri sa të gjenin myhyrin në filxhan. Kur e gjenin myhyrin fshehte grupi tjetër. Loja luhej deri në fitore. Fituesit i rrihnin me pustaçi pas shpine grupin që humbte lojën.
Gjidi gjidi-zët: kjo lojë luhet prej më shumë personave, njeri prej tyre e udhëheq lojën. Të gjithë duhet të kenë kapuça në kokë me përjashtim të njërit. Të gjithë radhiten në rresht. Loja fillon prej të parit duke i ndërruar kapuçat njëri pas tjetrit, personi që ngelën pa kapuç i mëshohet më batë prej atij që udhëheq. Loja shkon shumë shpejtë deri në mbarim.

Kallaisja: luhet prej dy grupeve të ndara nga shtatë veta dhe një person që i udhëheq. Njëri grup nxirret jashtë odës së mysafirëve, ndërsa grupi tjetër mbetet brenda në odë i ulur. Që të dy grupet i lyejnë duart me ziftë dhe i mbajnë fshehur. Personi që udhëheq e merr grupin që është jasht dhe e fut brenda në odë duke qëndruar në këmbë pranë grupit tjetër. Loja fillon me komandimin e udhëheqësit, kallaisja bëhet me dorë, fytyrë për fytyre.

Klença: e luajnë dy persona të cilët lidhen krah për krahu në pozitë paralele duke qëndruar në shpinë dhe me këmbë bëhet luftë kush do ta ngrejë njëri-tjetrin. Fitues është personi që do t’ia dalë ta ngrejë.

Lavërtari: e luajnë tre persona, dy luajnë rolin e qeve e një i udhëheq. Loja fillon kur lavërtari hyn në dhomën e mysafirëve dhe fillon të lavrojë, duke ecur nëpër dhomë, lavërtari u mëshon me thupër mysafirëve, për të liruar sa më shumë vend për të lëvruar,po ashtu edhe qetë fillojnë t’i vrasin mysafirët. Lavërtari disa herë rrotullohet nëpër dhomë dhe ata dalin nga dera e odës.

“Mihiri” në shkëmb: kjo lojë është luajtur me mjeshtëri të madhe nga personat që e kanë ndier veten të aftë. Myhyri është vënduar në shkëmb. Lojtari ka hipur me dy këmbë në shkëmb dhe është dashur me gojë ta marrë myhyrin prej shkëmbit dhe përsëri të bie me të dy kambët në shkëmb. Ndërkëmbësat: i luajnë dy persona që qëndrojnë në mes të odës. Të dyve u lidhen duart me “marhamë” (shami) ndër këmbë. Loja fillon duke e shtyer me këmbë njëri-tjetrin. Personi që e nxjerr prej ode është fitues.Nusja e Arapit: kjo lojë është shumë interesante. Arapi përgatitet jashtë, në odë hyn me nusen e vet duke mbajtur në një dorë foshnjen, e në dorën tjetër “dahiren” (defin), nusja i shkon pas. Arapi “dahiren” ia jep një mysafirit t’i bjerë, ndërsa foshnjen ia jep një mysafiri tjetër ta përkundë. Arapi fillon të luaj valle me nusen e vet, në një çast foshnja fillon të qajë i drejtohet personit që e mban foshnjën dhe i bie duke i thënë “luje-luje”. Ndërkohë nusja e arapit i ulet dikujt në prehër, ai e sheh dhe hidhërohet duke vrapuar t’i bie me batë nuses dhe personit. Në moment një person tjetër fshehurazi ngritet dhe fillon të luaj me nusen e arapit, ky e sheh dhe vrapon duke u mshuar të dyve. Në momentin kur vëren se fëmija vdes hidherohet dhe fillon t’u mshojë të gjithëve që gjenden në odë dhe kështu loja përfundon.

“Pampuri”: e luajnë më shumë veta. Loja përgatitet jashtë. Pesë persona qëndrojnë në këmbë në një largësi të njeriut. Mbi to Tradita kulturore në disa treva shqiptare në Maqedoni nxirren katër persona në pozitë horizontale duke i lidhur te duart dhe këmbët. Njeriu i parë luan rolin e lokomotivës, komandohet prej një personi, ndërsa brenda në dhomë qëndrojnë katër persona në këmbë. Loja fillon e treni hyn në dhomën e mysafirëve duke vazhduar rrugën nëpër dhomë. Personat që qëndrojnë në dhomë në këmbë u qësin vagonave ujë dhe kështu loja përfundon.

Vërtitja me shkop: luhet prej më shumë personave në dhomë. Merret shkopi me dorë dhe në pozitë vertikale vihet në tavan. Personi duhet të vërtitet dhjetë herë duke shikuar lartë dhe pastaj shkon ta hapë derën. Valavica: e luajnë dy veta, dalin në mes të odës të ulur këmbëkryq dhe këmbët i mbajnë fortë me dorë. Qëndrojnë karshi njeri-tjetrit në distancë prej gjysmë metri, pranë kanë “batin”. Loja fillon duke ndjekur njeri-tjetrin dhe duke i mëshuar me “batë”. Fitues është ai që i mëshon më tepër.

b) Lojërat që luheshin jashtë
Përveç lojërave që janë luajtur në shtëpi ka pasur edhe lojra që janë luajtur jashtë. Do të përmendim vetëm disa prej tyre: “Sinushk”: kjo lojë është luajtur me 3-4 persona. “Sinushk” është quajtur një copë druri që e ka rolin dhe formën e topit. Është luajtur me shkop me qëllim që “sinushka” të hyj në gol. Fitues është sigurisht ai që jep më shumë gola. “Mikër”: është luajtur me dy përsona. Kanë vënë dy shtylla në vend të portës. Janë larguar disa metra prej tyre dhe është dashur që me shkop, ta fusin topin në portë. Fitues është ai që jep më shumë gola.

Islami A., Nerashti fshat pitoresk i Tetovës, Shkup 2002